Bota

Voton edhe Senati, mbyllja e qeverisë amerikane shmanget në çast të fundit!

Shmanget mbyllja e qeverisë amerikane. Marrëveshjen për Buxhetin, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati e votuan në çastet e fundit, me 366 vota pro e 34 kundër. Më pas, Senati e kaloi me 85 vota në favor e 11 kundër, rreth gjysmë ore pasi kaloi afati i fundit. Kjo bëri që Shtëpia e Bardhë të ndalte përgatitjet lidhur me mbylljen e qeverisë.

“Ky është rezultat i mirë për Amerikën”, tha Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, duke shtuar se foli me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, për të cilin deklaroi se “gjithashtu është shumë i lumtur me rezultatin”. Presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë sot ligjin. Drafti u vu në rrezik kur Trump vazhdoi këmbënguljen që rritja e tavanit të borxhit të përfshihet në çdo marrëveshje.

Nëse kjo nuk ndodh, mbylljet le të fillojnë tani!

Ishte përpjekja e tretë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, për të plotësuar një nga detyrimet bazë të qeverisë federale që të vazhdojë të funksionojë. Zhvillimet ngrenë pikëpyetje të forta lidhur me fatin e Johnson-it në pozicionin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve përballë zemërimit të kolegëve të tij republikanë, si dhe për shanset e marrëdhënies së tij me Trump-in e aleatin miliarder Elon Musk, të cilët e kundërshtuan planin e parë të Johnson-it.

Kërkesa e minutës së fundit e Trump-it ishte pothuajse e pamundur për t’u plotësuar dhe Johnson nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të punonte për një alternativë që nuk parashikonte rritjen e tavanit të borxhit.

Drafti i ri prej 118 faqesh e parashikon buxhetin në nivelet aktuale të qeverisë deri në mars dhe shton 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë e 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët. Nuk u përfshi kërkesa e Trump-it për të hequr tavanin e borxhit, për të cilën udhëheqësit republikanë u thanë ligjvënësve se do të debatohej si pjesë e paketave të tyre për taksat dhe kufirin në vitin e ardhshëm. Republikanët premtuan se do ta rrisin kufirin e borxhit në vitin 2025 dhe se do të shkurtojnë 2.5 trilion dollarë në shpenzime për 10 vjet.

Donald Trump, i cili ende nuk e ka marrë detyrën, po tregon forcën, por edhe kufijtë e ndikimit të tij ndaj Kongresit, ndërsa ndërhyn nga Mar-a-Lago së bashku me Musk-un, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të administratës së ardhshme për Efikasitetin e Qeverisë.

Vetë Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019.