Disa orë para skadimit të afatit të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane në mesnatë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan të ri të propozuar nga kryetari Mike Johnson e që tani kalon për votë në Senat dhe më pas duhet të firmoset nga presidenti Joe Biden për t’u kthyer në ligj.
Përkohësisht, paketa do të financonte operacionet federale dhe ndihmat për fatkeqësitë, por nuk përfshin kërkesën e presidentit të zgjedhur Donald Trump për rritje të kufirit të borxhit në vitin 2025. Johnson këmbëngulte se Kongresi do t’i “përmbushte detyrimet” dhe nuk do të lejonte mbylljen e operacioneve federale përpara sezonit të festave.
Por, fati i planit të tij nuk ishte i sigurt pasi Trump përsëriti se “një rritje e tavanit të borxhit duhej të ishte pjesë e çdo marrëveshjeje”, duke thënë se nëse kjo nuk ndodhte, mbylljet le të “fillojnë tani”. Projektligji u miratua me 366 vota pro e 34 kundër. Senati pritet ta miratojë së shpejti. Pas votimit, Johnson u shpreh:
Jemi entuziastë me këtë rezultat. Fola me Trump-in dhe presidenti i zgjedhur, gjithashtu është i kënaqur me rezultatin. Nuk do të kemi një mbyllje të qeverisë.
Ishte përpjekja e tretë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, për të plotësuar një nga detyrimet bazë të qeverisë federale që të vazhdojë të funksionojë. Zhvillimet ngrenë pikëpyetje të forta lidhur me fatin e Johnson-it në pozicionin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve përballë zemërimit të kolegëve të tij republikanë, si dhe për shanset e marrëdhënies së tij me Trump-in e aleatin miliarder Elon Musk, të cilët e kundërshtuan planin e parë të Johnson-it.
Kërkesa e minutës së fundit e Trump-it ishte pothuajse e pamundur për t’u plotësuar dhe Johnson nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të punonte për një alternativë që nuk parashikonte rritjen e tavanit të borxhit. Ai e dinte se nuk do të kishte mbështetje të mjaftueshme brenda shumicës së republikanëve për të miratuar paketën e financimit të qeverisë, pasi shumë republikanë preferojnë të bëjnë shkurtime të shpenzimeve të qeverisë federale dhe do të ishin kundër rritjes së borxhit.
Teksa vitin e ardhshëm do të kenë kontrollin e plotë të Shtëpisë së Bardhë, Dhomës dhe Senatit, republikanët, që kanë plane të mëdha për shkurtim taksash e përparësi të tjera, po tregojnë se u duhet të mbështeten te demokratët për votat e nevojshme për të plotësuar detyrimet për funksionimin rutinë të qeverisjes.
A është ky një projektligj i republikanëve apo i demokratëve? – ironizoi Musk para votimit.
Drafti i ri prej 118 faqesh e parashikon buxhetin në nivelet aktuale të qeverisë deri në mars dhe shton 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë e 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët. Nuk u përfshi kërkesa e Trump-it për të hequr tavanin e borxhit, për të cilën udhëheqësit republikanë u thanë ligjvënësve se do të debatohej si pjesë e paketave të tyre për taksat dhe kufirin në vitin e ardhshëm.
Republikanët premtuan se do ta rrisin kufirin e borxhit në vitin 2025 dhe se do të shkurtojnë 2.5 trilion dollarë në shpenzime për 10 vjet.
Në thelb është e njëjta marrëveshje që fillimisht dështoi, e kundërshtuar nga shumica e demokratëve dhe disa prej republikanëve më konservatorë, me përjashtim të kërkesës së Trump-it për tavanin e borxhit.
Donald Trump, i cili ende nuk e ka marrë detyrën, po tregon forcën, por edhe kufijtë e ndikimit të tij ndaj Kongresit, ndërsa ndërhyn nga Mar-a-Lago së bashku me Musk-un, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të administratës së ardhshme për Efikasitetin e Qeverisë.
Vetë Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019.