Vranë me thikë noteren me qëllim për ta grabitur, arrestohen tre shqiptarë në Greqi. Në pranga ra një burrë me djalin dhe vëllanë e tij. Nga autoritetet greke u arrestuan si autorë të dyshuar të vrasjes së 69 vjeçares Mariza Tertseti Papadata, e cila u gjet e pajetë pranë shtëpisë së saj në Zakynthos, në muajin shkurt. Emrat e të ndaluarve nuk janë bërë publikë, por lidhja e tyre familjare dhe origjina shqiptare u konfirmuan zyrtarisht nga policia.
Ngjarja u zbardh pas hetimeve të Departamentit të Vrasjeve, ku një rol kyç pati rrëfimi i xhaxhait, banues në Nemea. Ai u shoqërua për t’u marrë në pyetje dhe pas përballjes me provat e mbledhura, pranoi përfshirjen e zbuloi detaje të planit për grabitjen.
Një ditë para ngjarjes kishte udhëtuar drejt ishullit ku banonte i vëllai, me të cilin ishin dakordësuar për të grabitur viktimën, pasi kishin dijeni se mbante para në banesë. Të dy vëllezërit u strehuan në një ambient me qira të marrë nga djali, i cili kishte rolin e shoferit. Të nesërmen, të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska i zunë pritë viktimës pranë banesës së saj.
Sipas dëshmisë, kur ajo u përpoq të rezistonte, ndodhi momenti fatal. Noterja u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe, shkruan Prothotema.gr. Mjeku ligjor konfirmoi se plagët ishin shkaktuar nga armë e mprehtë dhe se vdekja kishte ndodhur brenda pak minutash.
Pas ngjarjes, babai dhe xhaxhai u larguan në këmbë për më shumë se një orë dhe më pas djali i mori me makinë. Rrobat e përgjakura u dogjën dhe arma e krimit u zhduk. Vetëm babai nuk ka pranuar autorësinë e goditjes, ndryshe nga djali dhe vëllai i tij, të cilët rrëfyen gjithçka.