Policia ka arrestuar 3 persona për vrasjen e Endri Goxhajt dhe plagosjen e Dali Nelës në Memaliaj një ditë më parë. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit e Dali Nelës, Donaldo dhe Marjaldo Nela.
Nën hetim ndodhen edhe Julian Kalemi për deklaratë të rreme e Gëzim Qëndraj për kanosje.
Sipas policisë, vrasja e Goxhajt ndodhi gjatë një konflikti të çastit mes 7 personave, ku u përdorën edhe armët. Dyshohet se ka qenë 30-vjeçari i pari që ka qëlluar drejt Dali Nelës, i cili është i plagosur dhe nën kujdesin e mjekëve. Ai raportohet se ka marrë 4 plumba, 2 në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë.
Dali Nela, sipas burimeve, është dhëndër te fisi Kalemi. Këta të fundit njihen për përplasjet e forta me fise të tjera për pazare droge ndërsa dyshohet se fshihen pas disa vrasjeve, mes tyre dhe ajo e Aleksandër Sadikajt.
Dyshohet se konfliktet midis grupeve kanë qenë të hershme dhe mendohet që shkaku të jenë lëndët narkotike. I dyshuari Donaldo Nela është person me precedent penal, i përfshirë në trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Grupi që ai bënte pjesë është goditur në 2018-ën nga Policia e Sarandës. Ai po ashtu, rezulton i hetuar edhe si autor i një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tepelenë.
Gjatë konfliktit, si kundërpërgjigje ndaj Goxhajt, Donaldo e Marjaldo Nela kanë qëlluar drejt tij e ai më pas humbi jetën.
Policia ka sekuestruar pistoletën me të cilën dyshohet se Goxhaj plagosi Dani Nelën. Arma është me një fishek në fole. Gjithashtu janë sekuestruar 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.