Aktualitet

Aksident i rëndë në autostradën Lushnjë–Fier! Motoçiklisti përplaset me një automjet. Dërgohet në gjendje kritike në spital!

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në autostradën Lushnjë–Fier, në vendin e njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “VW”.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me autoambulancë, ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut dhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve, pasi për disa minuta është krijuar edhe ngarkesë në rrugë.

Sipas të dhënave të para të policisë, dyshohet se automjeti tip “VW” ka hyrë në kryqëzim, ndërsa motoçikleta me targa të huaja është përplasur me të. Megjithatë, këto mbeten ende versione paraprake dhe pritet verifikimi i plotë i dinamikës së aksidentit.

LEXO EDHE: Aksident në Laç pranë bashkisë, automjetet përplasen me njëra-tjetrën, disa të plagosur!

Në vendngjarje ndodhet gjithashtu edhe pajisja regjistruese e kaskës së motoçiklistit, e cila pritet të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, grupi hetimor pritet të mbërrijë në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij aksidenti të rëndë.

LEXO EDHE: Kompensim për karburantet/ Sot mbledhja e Këshillit Bashkiak, do mbështeten linjat e transportit urban për të përballuar çmimet e rritura të naftës