Gjykata e Korçës zbuti masën e sigurisë për shtetasit Leonidha Guçe dhe Denis Meçe, të arrestuar për vrasjen e Eglantin Progës në Pogradec.
Pas 15 muajve në paraburgimin e Drenovës, tre ditë më parë, gjykata vendosi që t’i nxjerrë nga qelia dhe t’i vendosë në “arrest shtëpie”, pasi afatet e qëndrimit në paraburgim kanë përfunduar.
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vijon hetimet dhe ende është në pritje të akt-ekspertimit, ku një pjesë e pamjeve filmike rezulton e fshirë.
Fillimisht, dosja ishte dërguar për gjykim me disa të pandehur, por pas dëshmisë së Denis Meçes në prokurori, çështja u kthye për rihetim. Tashmë, hetuesit presin rezultatin e ekspertizës që po kryhet në një laborator kompjuterik në Itali, në një përpjekje për të rikthyer pamjet e humbura e për të qartësuar rolin e të dyshuarve në ngjarje.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në muajin gusht në Pogradec dhe ku mbeti i vrarë Egli Proga, çoi në arrestimin e dy personave të tjerë, të akuzuar për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.