Rajoni

Vuçiç: Nuk kemi lidhje me atë që ndodhi në veriun e Kosovës, Prishtina e di këtë!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç reagoi duke theksuar se “Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës”, ku mbrëmë u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”. Deklarata e tij u transmetua në televizionin shtetëror serb, RTS. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në kanalin që gjendet në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë.

Autoritetet kosovare akuzuan menjëherë Serbinë se ka gisht në këtë sulm. Kryeministri Albin Kurti tha se “Serbia është përgjegjëse për sulmin kriminal dhe terrorist”, që sipas tij ka synuar “të dëmtojë infrastrukturën ndoshta më të rëndësishme” të vendit.

Por duke i komentuar këto akuza, gjatë një bisede me të rinj, Vuçiç i hodhi poshtë. Bashkëbiseduesit i këshilloi të mos marrin vendime nën presion, duke treguar se përse Serbia nuk reagoi menjëherë lidhur me deklaratat e Prishtinës.

Përse të justifikohem e të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan.

Më herët, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit. Gjuriç u shpreh:

Për aq kohë sa regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit në këtë sulm.

Ai shtoi edhe se Serbia kërkon që të mbahen përgjegjës autorët e këtij sulmi dhe se është e gatshme të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.

Serbia dënon me fjalët më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon, deklaroi Gjuriç në një reagim në X.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç u shpreh se “shkatërrimi i kanalit ka rrezikuar furnizimin me ujë në komunat e veriut të Kosovës për popullin serb”, i cili sipas tha, “tashmë jeton në kushte të vështira, veçanërisht në veri të Kosovës”.