Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet që po mbahen sot.
Vuçiç po ashtu thekson që ata të votojnë Listën Serbe, sepse sipas tij është e vetmja garanci që Albin Kurti nuk do t’i dëbojë.
“Po shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që të shkojnë e të votojnë. Votoni Listën Serbe, sepse ajo është garancia e vetme që Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova”, shprehet Vuçiç.
“Lista Serbe është e vetmja që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet”, citon Vuçiçin, agjencia Tanjug.
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë të dielën se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
“Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo ka thënë se është shumë herët të thuhet diçka për procesin, dhe ka paralajmëruar konferencë për të martën, për të përmbledhur gjithë procesin.