WhatsApp ka lançuar zyrtarisht Advanced Chat Privacy, një “shtresë e re e mbrojtjes së privatësisë” për bisedat 1-në-1, si dhe bisedat në grup. Privatësia e avancuar e bisedës i lejon përdoruesit të parandalojnë të tjerët të ndajnë përmbajtjen e bisedave të tyre jashtë WhatsApp-it, në rastet kur kërkohet privatësi shtesë. Kur një përdorues aktivizon këtë opsion, ai i pengon të tjerët të eksportojnë biseda, të shkarkojnë automatikisht përmbajtje në telefonat e tyre dhe të përdorin mesazhe për funksionet e AI.
“Në këtë mënyrë, të gjithë në bisedë do të jenë më të sigurt se askush nuk mund të përdorë përmbajtjen jashtë bisedës”-deklarojnë nga WhatsApp, por ka ende mundësi për screenshot. WhatsApp beson se kjo veçori do të jetë më e dobishme “në grupe ku të gjithë nuk e njohin njëri-tjetrin shumë mirë, dhe përmbajtja është e një natyre të ndjeshme, si për shembull diskutimi i sfidave shëndetësore në një grup mbështetës ose organizimi i një komuniteti për diçka që është e rëndësishme për përdoruesit”.
Për të aktivizuar këtë opsion, është e nevojshme të prekni emrin e bisedës dhe më pas të zgjidhni Privatësia e avancuar e bisedës. WhatsApp thotë se ky është vetëm versioni i parë i veçorisë, dhe planifikon ta përmirësojë atë në të ardhmen për të ofruar mbrojtje edhe më të madhe. WhatsApp do të ndalojë funksionimin në disa modele të vjetra të iPhone duke filluar nga 5 maji 2025.
Kjo ndodhi për shkak të ndryshimeve në përditësimet e aplikacionit dhe nevojës për t’u përshtatur me versionet më të reja të sistemeve operative. Sipas Meta, ndryshimet janë pjesë e përditësimeve të zakonshme që synojnë sigurimin e aplikacionit dhe përmirësimin e funksionalitetit të tij në pajisjet më të reja. Modelet e iPhone që do të preken janë ato që përdorin versionin iOS më të vjetër se 15.1, përfshirë iPhone 5s, iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus, të cilat janë lançuar në vitet 2013 dhe 2014.