Politikë

Xhoana Nano në lot gjatë fjalimit prekës: Pavarësisht çmimit të lartë që i duhej të paguante…

Gjatë homazheve të organizuara për ish-kryeministrin dhe liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, ka mbajtur një fjalim emocionues në nderim të figurës së tij.

Bashkëshortja theksoi se Fatos Nano ishte një njeri me një zemër të madhe, i gatshëm të falte dhe të donte pa kushte. “Fatosi nuk ishte njeri i zakonshëm, kishte një zemër të madhe, dinte të falte dhe të donte me gjithë qenien e tij,” u shpreh Xhoana Nano, duke shtuar se ai ishte gjithmonë i drejtëpërdrejtë, ndonjëherë i vështirë, por gjithmonë i pasionuar për të mirën e Shqipërisë.

Në fjalimin e saj, Xhoana Nano e vlerësoi Fatosin për dashurinë e tij të thellë për atdheun dhe për punën e palodhur që bëri për të parë Shqipërinë të begatë. “Ai e përfaqësoi vendin me dinjitet në takimet ndërkombëtare dhe luftoi për të, pavarësisht çmimit të lartë personal që pagoi,” tha ajo.

Në fund të fjalimit, Xhoana Nano shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë që pati të ishte krah tij gjatë jetës dhe ta donte. “Do mbetesh në kujtesën tonë, si njeri, si njeriu ynë,” mbylli ajo.

Atmosfera në Pallatin e Kongreseve ka qenë e mbushur me emocione dhe respekt, ku qytetarë dhe personalitete të politikës, artit dhe diplomacisë po i japin lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të historisë politike të Shqipërisë.

Xhoana Nano: Fatosi nuk ishte njeri i zakonshëm, nuk bënte asgjë për gjysmë. Ai kishte një zemër të madhe. Një zemër që dinte të falte, të mirëkuptonte dhe të donte me gjithë qenien e tij. Ishte i drejtëpërdrejtë, ndonjëherë kokëfortë dhe i vështirë. Ai e donte këtë vend megjithë shpirt. Pavarësisht çmimit të lartë personal që i duhej të paguante, nuk hoqi dorë për ta parë Shqipërinë më të begatë. Të tillë e paraqiti Shqipërinë edhe në takimet ndërkombëtare me burrat e shteteve në Uashington, Paris e gjetkë.

Për të gjitha këto sot, kam një ndjenjë mirënjohje, që pata fatin ta njihja, që pata fatin të ecja krah tij, të qeshnim dhe vuanim bashkë, të jetonim. Dua ti them edhe njëherë publikisht: Faleminderit Fatos që me deshe dhe më dhe mundësinë të të dua, që ishe ky që ishe, që e dhe veten tënde, të gjithën, pa kursim, për mua, për veten, për vendin tonë. Do mbetesh në kujtesën tonë, si njeri, si njeriu ynë.