Aktori anglez, Daniel Radcliffe, zbuloi në një intervistë të kohëve të fundit se pse i shmang plotësisht rrjetet sociale. Sekreti i paqes së tij të brendshme është i thjeshtë, ai qëndron plotësisht larg platformave si Instagram, X dhe Facebook. Radcliffe i tha revistës Rolling Stone: “Unë nuk i përdor kurrë rrjetet sociale sepse jam i vetëdijshëm për ndikimin e tyre dhe dua të mbroj shëndetin tim mendor. Nuk kam Instagram. Madje nuk kam asnjë nga versionet e X që ekzistojnë tani. Nuk e di se si mund ta bëjë dikush këtë. Sinqerisht, më duket shumë stresuese. Jam nën presion të mjaftueshëm gjithsesi dhe nuk mendoj se do të më ndihmonte”.
Vendimi për të qëndruar larg platformave si X, Instagram dhe Facebook u përforcua më tej gjatë përgatitjeve për shfaqjen e tij të re solo në Broadway, “Every Brilliant Thing”. “Isha në një provë dhe të gjithë po flisnin për aplikacione që i ndihmojnë të përdorin më pak telefonat e tyre”, tha aktori 36-vjeçar.
Neveria e tij ndaj jetës publike dhe sferës digjitale nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh famën që e ka ndjekur që nga fëmijëria dhe komentet negative me të cilat është përballur. Aktori pranoi se kishte një zakon në të kaluarën:
Kur isha më i ri, gjë që nuk e bëj më, për fat të mirë, kërkoja komente për veten time në internet dhe lexoja lloj-lloj budallallëqesh.
Në rolin e magjistarit të “Harry Potter” është e vështirë të imagjinohet ndonjë aktor tjetër përveç Daniel Radcliffe dhe ky pati shumë konkurrencë gjatë audicioneve. Ylli i “Mad Max: Fury Road”, Nicholas Hoult, ka konfirmuar në një intervistë të re se ai ishte një nga zgjedhjet kryesore për rolin më të kërkuar në fillim të viteve 2000. Ai ishte i ftuar në podcastin “Happy Sad Confuser” javën e kaluar, ku zbuloi se mori shumë thirrje pas audicionit. Prezantuesi Josh Horowitz bëri shaka se aktori mund të luante ende Harry Potter, por në serialin e ardhshëm televiziv që aktualisht po punohet nga HBO dhe Warner Bros.