Gossip

Ylli i K-Pop dhe nëna e saj neutralizojnë një grabitës të armatosur në shtëpi?

Aktorja dhe këngëtarja koreane e K-pop-it, Nana, ka përjetuar një situatë dramatike në shtëpinë e saj në Guri, Koreja e Jugut, ku së bashku me nënën arriti të përballonte një grabitës të armatosur.

Sipas mediave lokale, një burrë rreth të 30-ave hyri me forcë në pronën e saj dhe i kërcënoi të dyja gratë me armë, duke kërkuar para dhe sende me vlerë.

Agjencia e Nana-s, 34-vjeçare, konfirmoi për mediat koreano-jugore se artistja, emri i vërtetë i së cilës është Im Jin-ah, dhe nëna e saj arritën ta mposhtnin dhe ta mbanin nën kontroll grabitësin deri në mbërritjen e policisë.

Gjatë përleshjes, nëna e aktores humbi ndjenjat nga stresi dhe tensioni i situatës, ndërsa si ajo ashtu edhe gjyshja e Nana-s kërkuan më pas trajtim mjekësor.

Një detektiv lokal tha për agjencinë AFP se i dyshuari ishte futur për të vjedhur sende me vlerë dhe është arrestuar nën akuzën e grabitjes së rëndë. Ai u dërgua gjithashtu në spital për trajtim pas incidentit.

Nana u bë e njohur fillimisht në vitin 2009 si pjesë e grupit të vajzave After School, i cili ndërkohë nuk është më aktiv.

Në dekadën e fundit ajo ka fituar sukses të madh si aktore, me role në seriale si Kill It dhe Justice, drama kriminale të transmetuara për herë të parë në vitin 2019.

Së fundmi, ajo ka publikuar edhe albumin e saj të parë solo në shtator, duke konsoliduar pozicionin e saj si një nga emrat më të njohur të showbiz-it korean.