Celebrities Gossip Showbiz

Tronditet industria e K-pop! Krijuesi i supergrupit “BTS” drejt arrestimit? Pse?

Manjati i industrisë K-pop, Bang Si-hyuk, themelues i kompanisë HYBE dhe krijues i supergrupit BTS, mund të përballet me arrestim për akuza të rënda për tregti mashtruese.

Autoritetet në Korenë e Jugut kanë kërkuar nga prokurorët lëshimin e një urdhri arresti, duke pretenduar se në vitin 2019 ai ka mashtruar investitorët duke deklaruar se një listim publik i kompanisë nuk ishte i mundur, ndërkohë që në prapaskenë po përgatiste hyrjen në bursë.

HYBE debutoi në bursën KOSPI në tetor 2020, dhe sipas hetimeve, Bang dyshohet se ka përfituar rreth 200 miliardë won (rreth 136 milionë dollarë). Ai i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Çështja është përshkallëzuar ndjeshëm, duke përfshirë bastisje në selinë e kompanisë, ngrirje të disa aseteve dhe thirrje publike për dorëheqjen e tij si drejtues. Aktualisht, ai ndodhet nën ndalim udhëtimi që nga gushti, ndërsa hetimet vijojnë.

Kjo situatë vjen në një moment kritik për HYBE, pasi BTS ka nisur një turne botëror rikthimi pas një pauze disa vjeçare. Sipas analistëve, ky turne pritet të gjenerojë mbi 1 miliard dollarë dhe të përfshijë 34 qytete në mbarë botën.

Madje, pas njoftimit të turneut, aksionet e kompanisë arritën nivelin më të lartë në katër vite, duke shtuar mbi 1 trilion won në vlerën e tregut.

Sipas ligjit të Koresë së Jugut, personat që shpallen fajtorë për përfitime të paligjshme mbi 5 miliardë won përballen me dënime që variojnë nga pesë vite burg deri në burgim të përjetshëm.

Bang Si-hyuk është një nga figurat më të rëndësishme të industrisë muzikore koreane. Ai nisi karrierën si kompozitor dhe në vitin 1997 bashkëthemeloi JYP Entertainment me Park Jin-young. Në vitin 2005, ai krijoi Big Hit Entertainment (sot HYBE), duke ndërtuar më pas fenomenin global BTS, një nga grupet më të suksesshme në historinë e muzikës pop.

Sot, pasuria e tij vlerësohet në miliarda dollarë, ndërsa e ardhmja e tij ligjore mbetet e pasigurt mes akuzave që mund të tronditin industrinë globale të muzikës.