Tech

Zbulimi i NASA-s në Mars lë pa fjalë shkencëtarët!

Roveri “Perseverance” ka kaluar mbi katër vjet në Mars që nga ulja e tij më 18 shkurt 2021. Misioni i tij kryesor është eksplorimi i kraterit Jezero, ku ka mbledhur mostra të ndryshme shkëmbore për studime të mëtejshme në Tokë. Gjatë eksplorimit, ai ka zbuluar shkëmbinj që tregojnë shenja të kontaktit me ujin në të kaluarën, duke mbështetur kërkimet për shenja të mundshme të jetës. Së fundmi, Perseverance ka bërë një zbulim të çuditshëm që ka habitur shkencëtarët e NASA-s; një shkëmb misterioz i përbërë nga qindra sfera të vogla me ngjyrë gri të errët. Origjina e këtij formacioni mbetet ende e panjohur.

Mostra u gjet në zonën Broom Point, në shpatet e Witch Hazel Hill, në buzë të kraterit Jezero. Shkencëtarët vunë re një shkëmb të pazakontë, ndryshe nga mjedisi përreth. E quajtur St.Pauls Bay, kjo shkëmbinj është klasifikuar si një “shkëmb lundrues”, që do të thotë se nuk është në vendin e tij origjinal. Ky nuk është rasti i parë i gjetjes së formacioneve të tilla në Mars. Në vitin 2004, roveri Opportunity zbuloi “boronica marsiane” në rajonin Meridiani Planum. Edhe vetë Perseverance ka hasur më parë struktura të ngjashme në shkëmbinjtë sedimentarë të kraterit Jezero. Megjithatë, mënyrat e formimit të këtyre sferave mund të jenë të ndryshme dhe të japin informacione të rëndësishme mbi historinë gjeologjike të Marsit.

Ndërkaq, një tjetër zbulim i ri tregoi gjurmë të lashta uji në Mars, që datojnë 4,45 miliardë vjet më parë, të gjetura në një kokërr minerali zirkoni të izoluar brenda meteoritit “Bukuria e Zezë”. Studiuesit analizuan zirkonin, një mineral i njohur për qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të ruajtur gjurmë të kushteve të krijimit të tij. Analiza zbuloi se uji ka ekzistuar në koren e Marsit vetëm 100 milionë vjet pas formimit të planetit. Elementë si hekuri, natriumi dhe alumini të gjetur brenda zirkonit tregojnë se ky mineral u formua në prani të ujit të pasur me minerale, duke sugjeruar ekzistencën e sistemeve hidrotermale, si burime të nxehta.