Showbiz

Zbulohen pas 40 vitesh fotot e fshehta të Princeshës Diana me David Bowie

Fotografi të rralla dhe të papublikuara më parë të Princeshës Diana me ikonën e muzikës pop, David Bowie, janë zbuluar gati 40 vjet pas realizimit të tyre, duke risjellë në vëmendje një episod të pazbuluar nga jeta e saj.

Fotot janë bërë në vitin 1987, gjatë koncertit të Bowie-t në Wembley, nga fotografi i njohur Denis O’Regan. Në një prej tyre, Diana shihet duke buzëqeshur pranë një Bowie po aq të gëzuar. Ishte promotori legjendar i muzikës, Harvey Goldsmith, ai që ndërmjetësoi për realizimin e kësaj fotoje historike. Sipas Denis, princesha me shumë ndrojtje e pyeti nëse Bowie do të dëshironte një foto me të. Ai pranoi menjëherë.

Por vetëm një ditë më vonë, O’Regan mori një kërkesë të sjellshme nga pallati për të mos i publikuar fotot. Arsyeja? Diana ndodhej në koncert në shoqërinë e Majorit James Hewitt, me të cilin asokohe kishte një lidhje sekrete. Hewitt qëndroi larg kamerave për të shmangur kapjen në fotografi, dhe lidhja e tyre ende nuk ishte bërë publike.

Denis O’Regan pranoi se nuk kishte njohuri për identitetin e Hewitt në atë kohë dhe nuk kishte arsye ta fotografonte. Fotot mbetën të mbyllura për dekada, jo për shkak të Dianës apo Bowie-t, por për të mbrojtur privatësinë e një lidhjeje të fshehtë.

Ngjarja është përmendur edhe në biografinë “Diana: Historia e saj e vërtetë” nga Andrew Morton, ku Diana përshkruan natën në Wembley dhe zgjedhjen për të veshur pantallona lëkure, duke pranuar me humor se kjo nuk ishte zgjedhja tipike për një mbretëreshë të ardhshme.