Bota Botë e Çuditshme

Zbulohet përmasat tronditëse të asteroidit që zhduku dinosaurët!

Një video e realizuar me teknologji CGI po bëhet virale në rrjetet sociale duke treguar përmasat reale të asteroidit që goditi Tokën rreth 66 milionë vite më parë dhe çoi në zhdukjen e dinosaurëve. Në video, asteroidi vendoset mbi një qytet modern për të krijuar një krahasim vizual me ndërtesat dhe rrokaqiejt, duke treguar qartë madhësinë e tij gjigante. Sipas vlerësimeve shkencore, objekti kishte një diametër nga 10 deri në 14 kilometra.

Përplasja ndodhi pranë gadishullit Jukatan në Meksikë dhe shkaktoi pasoja katastrofike për planetin. Shpërthimi gjigant prodhoi topa zjarri, mega-cunamë dhe stuhi globale zjarri që përfshinë pjesë të mëdha të Tokës. Pas përplasjes, planeti hyri në një periudhë të ashtuquajtur dimër impakti që zgjati rreth një dekadë. Retë e pluhurit dhe mbetjeve bllokuan rrezet e diellit, duke shkatërruar zinxhirin ushqimor dhe duke çuar në zhdukjen e rreth 75 për qind të specieve, përfshirë dinosaurët që nuk ishin paraardhës të shpendëve.

Shkencëtarët vlerësojnë se asteroidi udhëtonte me një shpejtësi rreth 20 kilometra në sekondë dhe çliroi një energji të barabartë me miliarda bomba bërthamore. Sipas studiuesve, kjo katastrofë ndryshoi përgjithmonë historinë e Tokës, duke hapur rrugën për zhvillimin e gjitarëve dhe më vonë për shfaqjen e njerëzimit.