Një zbulim i pazakontë ka habitur shkencëtarët në SHBA, pasi peshkaqenë gjigantë të njohur si “Bluntnose sixgill shark”, specie që ekziston që para epokës së dinosaurëve, janë parë duke notuar në ujëra vetëm 6 metra të thellë pranë brigjeve të shtetit të Uashingtonit. Këta grabitqarë misteriozë zakonisht jetojnë në thellësi ekstreme, deri në 3 mijë metra nën sipërfaqen e oqeanit, në zona me errësirë pothuajse totale. Por studiuesit nga Akuariumi i Seattle kanë zbuluar se ata po rikthehen vazhdimisht në zonën Puget Sound, që dyshohet se përdoret si vend për lindjen dhe rritjen e të vegjëlve.
Ekspertët thonë se këta peshkaqenë mund të arrijnë deri në 14 këmbë gjatësi dhe dallohen nga fakti se kanë gjashtë çarje në gushë, ndryshe nga shumica e peshkaqenëve që kanë pesë. Shkencëtarët do të zhvillojnë monitorime mujore deri në shtator, duke kapur përkohësisht peshkaqenët për t’u marrë mostra biologjike dhe për t’u vendosur pajisje gjurmimi.
Këto pajisje pritet të zbulojnë më shumë mbi lëvizjet, mënyrën e ushqimit dhe habitatin e tyre. Sipas studiuesve, peshkaqenët e rinj lëvizin në ujëra të cekëta gjatë natës për të gjuajtur, ndërsa ditën rikthehen në thellësi më të mëdha. Zbulimi konsiderohet shumë i rëndësishëm për të kuptuar më mirë një nga speciet më misterioze të oqeanit.
Rikujtojmë, se Alain Cabot, i cili zotëron një muze dinosaurësh të quajtur Musée Parc des Dinosaures, ka gjetur rreth 100 vezë të fosilizuara dinosaurësh në tokën e tij. Vezët janë afërsisht sa madhësia e një shalqiri të vogël dhe mendohet të jenë rreth 72 milionë vjeçare. Alain mendon se vezët mund të jenë vendosur nga dinosaurët gjigantë barngrënës që ishin të gjatë rreth 15 metra dhe peshonin midis 15 dhe 20 ton. “Është një depozitë e jashtëzakonshme dhe do të duhen breza të tërë paleontologësh për ta studiuar atë. Ka miliona vezë në Francën jugore. Mendoj se mund të jetë depozita më e madhe në botë”, tha Alain Cabot në një intervistë me The Times.