“Rusia preferon të vazhdojë sulmet, në vend që të ndjekë rrugën diplomatike”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një reagim pasi Moska lëshoi më shumë se 70 raketa dhe 450 dronë kundër Ukrainës gjatë natës, referuar burimeve të Kievit zyrtar.
Shfrytëzimi i ditëve më të ftohta të dimrit për të terrorizuar popullsinë është më i rëndësishëm për Rusinë se zgjedhja e diplomacisë, shkroi Zelensky në X, duke shtuar se forcat ruse e goditën vendin e tij gjatë natës me një total prej më shumë se 70 raketash dhe nisën 450 sulme me dronë.
Nga ana e tij, Oleksiy Kuleba, ministri i Zhvillimit i Ukrainës, theksoi se “rezultati i këtyre sulmeve është se më shumë se 1 mijë e 100 pallate banimi janë pa ngrohje në Kiev”.
Kuleba akuzoi Rusinë për sulm ndaj “strehimit, ngrohjes dhe kushteve themelore të jetesës së qytetarëve” në të gjithë vendin.
Rusia rifilloi sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës mbrëmë, pas një pauze disa ditore, ndërsa temperatura në kryeqytet ra në pothuajse -20° Celsius.