Bota

Zemërimi i Trump-it ndaj Kinës, njoftim tarifash të mëtejshme 100%!

Po rriten tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi Pekinin zyrtar për “akte armiqësore”, si dhe njoftoi vendosjen e tarifave të mëtejshme prej 100%. Më pas, manjati vuri në dukje se ka një takim të planifikuar për dy javë me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, por ai nuk e di nëse do ta takojë.

Në Truth, shefi i Shtëpisë së Bardhë shkroi:

Sapo është mësuar se Kina ka marrë një qëndrim jashtëzakonisht agresiv ndaj tregtisë, duke i dërguar botës një letër jashtëzakonisht armiqësore e ku deklaron se duke filluar nga 1 nëntori 2025, ata do të vendosin kontrolle në shkallë të gjerë të eksportit mbi pothuajse të gjitha produktet që prodhojnë e disa, as që prodhohen prej tyre.

Kjo vlen për çdo vend, pa përjashtim dhe padyshim është një plan që e kanë sajuar vite më parë. Eshtë absolutisht e padëgjuar në tregtinë ndërkombëtare dhe një turp moral në marrëdhëniet me kombet e tjera.

Kjo u shkrua nga Trump në Truth, duke njoftuar se:

Nga 1 nëntori 2025 (ose më shpejt, varësisht nga çdo veprim apo ndryshim i mëtejshëm që ndërmerr Kina), Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë 100% ndaj Kinës, përveç çdo tarife që është aktualisht në fuqi. Gjithashtu, më 1 nëntor, ne do të vendosim kontrolle të eksportit mbi çdo softuer me rëndësi.

Indeksi Wall Street ra ndjeshëm në kohën kur frika e një lufte tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u rigjallërua me faktin që Donald Trump kërcënoi të rrisë tarifat kundër Pekinit. Ja çfarë tregojnë shifrat zyrtare:

Indeksi Industrial Dow Jones ra me 1.90% në 45,479.60 pikë, Nasdaq ra me 3.56% në 22,204.43, dhe S&P 500 ra me 2.71% në 6,552.50.

Në një tjetër zhvillim, administrata amerikane e presidentit Trump vendosi që të apelojë një urdhër të lëshuar nga gjyqtarja e distriktit April Perry e që ndaloi përkohësisht vendosjen e Gardës Kombëtare në Illinois. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, i tha NBC News-it se qeveria federale do të vazhdojë që të shtyjë përpara planin e vendosjes së trupave për të luftuar krimin në qytetet kryesore, në të gjithë hapësirën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.