245.808 mijë është totali i fletëve të votimit që do të prodhohet për diasporën, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Mësohet se ka pasur ndryshime në numër, për shkak të korrigjimeve, por edhe të ankimimeve lidhur me regjistrimin.
Italia ka numrin më të madh të qytetarëve shiptarë që do votojnë nga jashtë vendit, me 91.210 persona, teksa më pas vjen Greqia me 68.292.
Më tej renditen Gjermania me 25.491, SHBA me 20.669 dhe Britania e Madhe me 17.583.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar Parkun Olimpik të Tiranës “Feti Borova” si vendin ku do të numërohen votat e Diasporës.
Bashkia Tiranë kishte paraqitur në KQZ, listën e objekteve brenda territorit të qarkut Tiranë.
“Brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 94, pika 1, të Kodit Zgjedhor, është mundur të sigurohet ambienti pranë Parkut Olimpik të Tiranës “Feti Borova”, ku do të kryhen tre procese të votimit ngajashtë, siç janë: përgatitja e dokumentacionit zgjedhor, ruajtja dhe administrimi i votave nga jashtë deri në momentin e fillimit të numërimit, si dhe numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë.
Nga shqyrtimi i të dhënave të objekteve të paraqitura rezulton se Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” përmbush kushtet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin përkatës të Komisionit Rregullator”, thuhet në vendin e KQZ-së.