Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, pjesëmarrja 2.42% deri në orën 09:00!

Po mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelenë. Për drejtimin e tyre, garojnë 13 kandidatë nga Partia Socialiste e të pavarur, disa prej të cilëve të mbështetur nga opozita. Procesi vijon normalisht, pavarësisht se pati disa vonesa e probleme sporadike teknike, tashmë të kapërcyera. Deri në orën 09:00 votuan 2.42% e zgjedhësve.

Sot, në të parën konferencë për mediat, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi konfirmoi se nuk ka problematika. Në të gjithat Qendrat e Votimit po aplikohet identifikimi elektronik.

Në masën 81%, qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe vetëm 19%, midis orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve përbëhen nga 7 anëtare, 18% nga 6, 29% nga 5. Vetëm në tre QV, në nisje kishte mungesë të kuorumit, por u mundësua dhe filloi votimi.

Nuk janë raportuar problematika në lidhje me procesin e votimit, nuk kemi asnjë problem të raportuar mbi përdorimin e Pajisjeve të Identifikimit Elektronik. 100% e QV janë me operator. Nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV, por ndërkohë jemi duke marrë informacionin në mënyrë alternative. Sa i përket pjesëmarrjes është 2.42%.

Celibashi tha se procesi i numërimit do të transmetohet në kohë reale, për shkak të numrit të vogël të KZAZ-ve.

Për 9 KZAZ do të ketë pamje live të vendit të numërimit të votave.

Procesi pritet të mbyllet nesër në drekë, kur të dalë edhe rezultati. Celibashi u pyet për denoncimin e opozitës se persona të paautorizuar po intimidojnë zgjedhësit në Mat.

Kjo ndalohet në mënyrë kategorike e do të interesohem për rastin. Do të adresojmë çdo problematikë, qoftë edhe te organet e ndjekjes.

Kryekomisioneri Celibashi shpjegoi numërimin e votave me Inteligjencë Artificiale në Bashkinë e Tepelenës, që po aplikohet për herë të parë.

Në çdo tavolinë kemi të instaluara kamera që regjistrojnë procesin e numërimit të fletëve. Fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen. Nëpërmjet një programi kompjuterik me Inteligjencë Artificiale bëhet leximi automatik.

Duke përdorur IA-në, ky sistem do të kuptojë se për kë është votuar dhe rezultati vjen automatikisht në KQZ, pa pritur të bëhet tabulimi i tij nga anëtarët e grupit të numërimit. Çdo fletë votimi vjen dhe transmetohet në KQZ.

Më herët në mëngjes, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët për pjesëmarrje në 5 bashkitë ku sot votohet:

MIRËMËNGJES dhe me ftesën për qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit e Tepelenës, për të votuar sot në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryebashkiakët e rinj, ju uroj një të diel të paqtë!