Në 38 komuna të Kosovës, personat me të drejtë vote votuan dje për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja komunale. Votimet u zhvilluan pa ndonjë incident serioz.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, në 21 komuna, qytetarët kanë zgjedhur që në raundin e parë drejtuesit e tyre. Në 17 të tjera do të ketë balotazh.
Prishtina, kryeqendra e Kosovës, është në mesin e komunave që shkojnë në balotazh, në një përballje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosja, LVV të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në raundin e parë, LVV-ja dhe Partia Demokratike e Kosovës fituan në tre komuna, LDK-ja në dy, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, siguruan nga një komunë, ashtu si edhe Ramiz Lladrovci me listën e tij në Drenas.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përfshirë të atyre me kusht, të personave me nevoja të veçanta, si dhe me postë.
Në Kosovë, e djeshme ishte dita kur u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime u llogarit në 39%.
Të drejtë vote kishin 2 milion e 69 mijë e 98 votues brenda vendit, ndërsa rreth 44 mijë zgjedhës kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë territorit të Kosovës.