Rajoni

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, shpallen fituesit!

Partitë e koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE dhe VLEN shpallën fitore në zgjedhjet e djeshme lokale në Maqedoninë e Veriut.

VMRO‑DPMNE deklaroi “fitore të bindshme” pas raundit të parë. Sipas njoftimeve zyrtare, siguroi kryetarë në 30 prej 80 komunave e pret të shtojë të paktën 20 të tjera në raundin e dytë, përfshirë kryeqytetin Shkup ku kandidati i saj Orce Gjorgjievski raportohet në avantazh.

Kryetari Hristijan Mickoski, njëherazi kryeministër i vendit fqinj tha se VMRO‑DPMNE/ja mori më shumë vota se në zgjedhjet parlamentare e lokale të mbajtura më parë. Mickoski paralajmëroi edhe se nuk synon zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare teksa vuri në dukje se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur”.

Në anën tjetër, partia opozitare maqedonase LSDM konfirmoi humbjen në disa komuna, por vlerësoi se performanca e saj nuk është “e dobët” pavarësisht rezultateve të vazhdueshme negative. LSDM-ja siguroi kryetarë në Kriva Palanka, Bogdanci e Krivogashtan dhe pret të konkurrojë në rreth 20 komuna në raundin e dytë.

Në bllokun shqiptar, koalicioni VLEN fitoi që në raundin e parë në komunat Çair, Saraj, Zhelinë, Tearcë e Bogovinë. Në Tetovë, po ashtu fitoi në raundin e parë me një diferencë prej afër 4 mijë votave përballë rivalit të AKI-së.

Ndërkaq, koalicioni opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) fitoi në raundin e parë në Çashkë, Gostivar, Likovë e Pllasnicë. Në balotazh do të jetë në komunat e tjera ku gara kryesore pritet në Kërçovë përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së e në Strugë me kandidatin e pavarur shqiptar, Mendi Qyra, i përkrahur nga VLEN.

Raundi i dytë parashikohet të zhvillohet më 2 nëntor 2025. Ky raund pritet të vendosë përfundimisht kontrollin mbi administratën lokale në Maqedoninë e Veriut, për të ardhmen.