Rajoni

Përfundon procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut, ja pjesëmarrja në zgjedhje!

Në Maqedoninë e Veriut u mbajt sot raundi i parë i zgjedhjeve lokale, ndërsa tashmë ka përfunduar orari zyratar i votimit. Votimi u hap në orën 07:00 dhe qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 81 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë, përfshirë edhe qytetin e Shkupit.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhje deri në orën 18:30 ishte 46.65 për qind.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash.

Shkupi mban numrin më të lartë të kandidatëve për kryetar bashkie, me gjithsej 16 kandidatë që garojnë për drejtimin e kryeqytetit.  Zgjedhjet u monitoruan nga 1,451 vëzhgues, prej të cilëve 807 vendorë dhe 644 ndërkombëtarë.

Sipas sondazheve, favorit për të fituar shumicën e komunave është partia në pushtet VMRO-DPMNE. Ndërkohë, opozita maqedonase, Lidhja Socialdemokrate (LSDM), përballet ende me pasojat e krizës së brendshme pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të majit 2024.

Garë e ngushtë pritet të jetë edhe në komunat me shumicë shqiptare. Në rreth 15 komuna, shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, dhe beteja më e ashpër zhvillohet mes koalicionit qeveritar shqiptar VLEN dhe opozitës së bashkuar në Aleancën Kombëtare për Integrim, të udhëhequr nga BDI.

Autoritetet zgjedhore dhe vëzhguesit ndërkombëtarë u angazhuan për të siguruar një proces të rregullt, të qetë dhe demokratik.