Deputetët e Partisë Socialiste janë udhëzuar që të vijojnë me punën në komisionet e posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, pavarësisht bojkotit të lajmëruar nga opozita. Porosia u dha sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe që u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit.
Deputetëve iu tha se maxhoranca duhet të zbatojë axhendën që ka Shqipëria në raport me procesin e integrimit europian dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur.
Në mbledhje merrnin pjesë edhe kryeministri Edi Rama e zv.kryeministrja Belinda Balluku, e rikthyer në detyrë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, më 12 dhjetor e që pezullonte masën e sigurisë dhënë ndaj saj “pezullim nga detyra”, nga Gjykata e Posaçme.
Kreu i grupit, Taulant Balla, komentoi bojkotin e opozitës duke e cilësuar “vendim emocional”, ndërsa bëri thirrje që Partia Demokratike të rikthehet në normalitet parlamentar pas festave të fundvitit. Sipas tij, vendimi i PD-së për bojkot është i kuptueshëm në kushtet emocionale të javës së kaluar, por shprehu bindjen se “emocionet do t’iu kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë” dhe në janar, opozita do t’i rikthehet punës parlamentare.
Kjo ishte mbledhja e fundit e grupit kuvendor socialist para seancës plenare të 18 dhjetorit, e fundit për këtë vit.