I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Shën Pjetërburg. Ky ishte takimi i tyre i tretë që kur presidenti Donald Trump, mori mandatin në janar dhe u zotua për përmirësimin e raporteve me Moskën.
Takimi mes Witkoffit dhe Putinit, sipas Rusisë, u përqendrua në një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.
Pas bisedimeve, Kremlini publikoi në faqen web fotografi të dy zyrtarëve duke shtrënguar duart, si dhe duke njoftuar se “takimi përfundoi”.
Tema e takimit: aspektet e një zgjidhjeje për Ukrainën, deklaroi Kremlini.
Agjencitë ruse të lajmeve thanë se takimi zgjati më shumë se katër orë.
I dërguari amerikan, Witkoff ndaloi në Rusi teksa ishte rrugës për në Oman, ku sot do të mbahen bisedime me Iranin lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Lajmi për takimin Witkoff-Putin u bë publik në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në X se ka kaluar një muaj që kur Rusia ka refuzuar propozimin amerikan për një “armëpushim të plotë dhe pa kushte”.
Disa orë pasi Witkoff arriti në Rusi, Trump po ashtu shkroi në rrjete sociale se “Rusia duhet të veprojë në ndalimin e luftës në Ukrainë“.
Shumë njerëz po vdesin.
Vizita e Witkoffit u zhvillua në mes të një “stuhie diplomatike” rreth luftës në Ukrainë, përfshirë bisedimet SHBA-Ukrainë në Uashington dhe një takim të kryesuar nga Britania e Madhe dhe Gjermania në Bruksel.
Agjencia shtetërore ruse TASS raportoi se Witkoff me të mbërritur në Rusi u takua me Kirill Dmitriev, një figurë me lidhje të forta me Kremlinin dhe drejtues i Fondit Rus për Investime Direkte. Javën e kaluar, të dy zyrtarët u takuan në Uashington, ku diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Vizita e Witkoffit në Rusi u zhvillua një ditë pasi zyrtarë amerikanë dhe rusë u takuan në Stamboll për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, gjë që mund të çojë në rikthimin e stafit të ambasadave, të dëbuar kur nisi pushimi rus i Ukrainës më 2022-shin.
Muajin e kaluar, takimi i tij me Putinin i hapi rrugë një telefonate mes dy presidentëve. Ai gjithashtu vizitoi Rusinë në muajin shkurt dhe ishte pjesë e bisedimeve SHBA-Rusi në Riad.