Bota

Misionet diplomatike, sot takimi në Stamboll mes SHBA-ve e Rusisë!

Shtetet e Bashkuara janë gati të plotësojnë ambasadën në Moskë me diplomatë, për procedura të qeta të lëshimit të vizave. Raundi i dytë i konsultimeve ruso-amerikane për normalizimin e funksionimit të ambasadave respektive mbahet sot në Stamboll të Turqisë. Palën ruse e drejton ambasadori në Uashington, Alexander Darchiev. Zv.ndihmës sekretarja e Shtetit për Rusinë dhe Europën Qendrore, Sonata Coulter kryeson delegacionin amerikan. I pari takim i tillë u zhvillua me dyer të mbyllura më 27 shkurt dhe zgjati më shumë se 6 orë.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në takim do të marrin pjesë zyrtarë nga ministritë e jashtme të dy vendeve.

Palët do të vazhdojnë përpjekjet për të hequr pengesat e shumta, duke përfshirë ato teknike, që po pengojnë diplomatët.

Delegacioni rus po drejtohet sërish nga Alexander Darchiev, i cili tani vjen si ambasador i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në muajin shkurt, ai ishte drejtor i Departamentit të Amerikës së Veriut i ministrisë. Përballë kanë ekipin e Sonata Coulter-it.

Ndërsa raundi i muajit shkurt u mbajt në rezidencën e Konsullit të Përgjithshëm amerikan në Stamboll, vendi i këtij raundi është Konsullata e Përgjithshme ruse.

Sipas ambasadorit të Moskës, Rusia është e vendosur për një diskutim serioz me Shtetet e Bashkuara në lidhje me kthimin e pronave diplomatike të konfiskuara gabimisht nga Uashingtoni. Axhenda do të përfshijë edhe çështjet e lëvizjeve të diplomatëve në vendin pritës, kufizimet e vizave e ato financiare.

Kjo ka të bëjë me adresimin e “trashëgimisë toksike” të administratës së mëparshme amerikane, e cila vendosi kufizime të rënda mbi aktivitetet e misioneve diplomatike ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh Darchiev.

Përveç kësaj, delegacioni rus pritet të ngrejë çështjen e rifillimit të linjës direkte ajrore ndërmjet dy vendeve, gjë që do t’i jepte një shtysë të re kontakteve zyrtare dhe atyre të biznesit. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce tha po ashtu se delegacionet “do të përpiqen të bëjnë përparim në stabilizimin e mëtejshëm të operacioneve të misioneve dypalëshe”.