Një qytet në Suedinë veriore ku dielli perëndon shumë herët gjatë dimrit ka gjetur një mënyrë të thjeshtë për të bashkuar banorët e vetmuar duke u kërkuar të gjithëve t’i thonë njëri-tjetrit “përshëndetje”. Ideja vjen pasi njerëzit në këtë vend përballen me vetminë në një shkallë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkroi çështjen si një “kërcënim urgjent shëndetësor”.
“Vetmia dhe izolimi janë probleme të mëdha në çdo kohë të vitit pothuajse kudo në botë tani”,-tha Micael Dahlen, një profesor në Shkollën Ekonomike të Stokholmit. “Vjen me kohën në të cilën jetojmë, me stilin e jetesës që kemi, ku jo domosdoshmërisht takohemi me njëri-tjetrin në të njëjtën masë si dikur. Kjo përshpejtohet në kohën e dimrit kur jemi më pak jashtë, më pak social”-shtoi ai, duke thënë se Suedia është veçanërisht e ndjeshme rreth këtij fenomeni.
Në qytetin e Lulea-s, ku zyrtarët po përpiqen t’i bëjnë banorët të përhapin gëzim me një përshëndetje të ngrohtë, dielli fillon të perëndojë herët pasdite duke e kaluar rajonin në një errësirë të madhe për pjesën më të madhe të ditës. Në këtë vend gjysma e të rinjve të moshës 16-29 vjeç kanë probleme me vetminë. Kjo fushatë e re synon ta ndryshojë këtë për mirë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur vetminë një kërcënim urgjent për shëndetin global, ndërsa një kirurg amerikan ka thënë se efektet e saj në vdekshmëri janë të barabarta me pirjen e 15 cigareve në ditë. OBSH krijoi një komision ndërkombëtar, të udhëhequr nga kirurgu kryesor i SHBA-ve, Dr Vivek Murthy dhe i dërguari i Rinisë së Bashkimit Afrikan, Chido Mpemba. Ngritja e komisionit vjen, pasi pandemia COVID-19 ndaloi aktivitetet ekonomike dhe sociale, rriti nivelin e vetmisë, por edhe shtoi ndërgjegjësimin për rëndësinë e problemit.