Rajoni

Zjarr në Kroaci, evakuohen banorë e turistë!

Një zjarr shpërtheu paradite në Kroacinë jugore, pranë Splitit, qyteti i dytë më i madh i vendit, duke detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve nga disa fshatra bregdetare.

Zjarri, i cili filloi në rajonin Pisak dhe Marusic, rreth 40 kilometra nga Spliti, u përhap shpejt dhe nuk mund të kontrollohej, raportoi departamenti vullnetar i zjarrfikësve. Situata është shumë serioze. Ne kemi mobilizuar forcat shtetërore dhe policinë, deklaroi Slavko Tucakovic, komandant i përgjithshëm i departamentit të zjarrfikësve, për agjencinë kombëtare të lajmeve HINA.

Dy avionë me ujë u dërguan si përforcime.

Sipas zëvendësprefektit të qarkut Split-Dalmaci, Stipe Cogelja, një duzinë shtëpish u dogjën deri në themel.

Zëvendësshefi i Policisë së Split-Dalmacisë, Sinisa Mihanoviç, deklaroi në një konferencë për shtyp se policia po “hetonte intensivisht një rast zjarrvënieje të qëllimshme”. Zjarri u përhap në të dyja anët e rrugës rajonale në bregdetin e Adriatikut, duke çuar në mbylljen e një pjese të rrugës.

Radiotelevizioni Publik Kroat (HRT) ka bërën të ditur se gjatë dy ditëve të fundit, zjarre kanë shpërthyer në 17 zona në Makarska e Omis, në bregdetin jugor të Adriatikut kroat.