Eshtë rritur në 30, numri i viktimave nga zjarri tragjik që dje përfshiu një lokal nate në Bangkok të Tajlandës. Mbi 70 persona kanë mbetur të plagosur, 24 në gjendje kritike. Autoritetet tajlandeze kanë nisur një hetim të gjerë për të zbuluar nëse neglizhenca dhe shkeljet e rregullave të sigurisë kontribuuan në tragjedinë e rëndë.
Zjarri shpërtheu kur po zhvillohej një koncert me muzikë live. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se flakët nisën nga një qark i shkurtër në një kondicioner, pranë skenës, duke ndërprerë menjëherë energjinë elektrike dhe duke e zhytur lokalin në errësirë.
Sipas policisë, përdorimi i materialeve shumë të ndezshme në dekorimin e skenës dhe ambienteve tregon “mungesë kujdesi e shpërfillje për sigurinë e klientëve”.
Shumë nga viktimat u gjetën në tualetet që ndodheshin në pjesën e pasme të lokalit. Ekspertët besojnë se klientët u përpoqën të largoheshin nga flakët duke vrapuar drejt asaj zone, por mbetën të bllokuar pasi nuk mundën të gjenin rrugëdalje.
Dëshmitarët kanë treguar se zjarri përfshiu të gjithë lokalin pothuajse menjëherë. Grupi muzikor tajlandez Thotsakan, që po performonte në momentin e shpërthimit të flakëve, humbi dy nga anëtarët në tragjedi.