Bota

Zjarret në Turqi, mbi 50,000 persona evakuohen nga banesat e tyre!

Mbi 50,000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve të mëdha pyjore që po përfshijnë kryesisht provincat Izmir, Manisa dhe Hatay, njoftoi sot Agjencia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD).

“Mbi 50,000 qytetarë nga 41 zona të ndryshme janë zhvendosur përkohësisht në vende më të sigurta,” theksoi AFAD përmes një postimi në rrjetin social X.

Zjarri i madh në Izmir vazhdon për ditën e dytë, ndërsa puna e zjarrfikësve po vështirësohet nga era e fortë, sipas deklaratës së ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve, siç raportojnë mediat lokale.

Autoritetet po vazhdojnë punën për të kontrolluar flakët dhe për të mbrojtur banorët e zonave të prekura.

Pjesë të mëdha të Evropës vazhdojnë të jenë të prekura nga një valë e të nxehtit përvëlues, me temperatura në mes të 30-ave deri në 40oC dhe një sërë alarmesh shëndetësore dhe mjedisore të lëshuara në të gjithë kontinentin, veçanërisht në pjesën jugore të tij.

Franca, Italia, Portugalia dhe Spanja, në veçanti, kanë parë mot ekstrem gjatë fundjavës dhe ka të ngjarë që ato kushte të vazhdojnë edhe sot.

Ja si paraqiten temperaturat në qytetet kryesore europiane: Roma, Madridi dhe Bolonja 36oC , Athina dhe Napoli 35oC, Lisbonë 34oC, Zagreb 33oC, Paris 32oC, Londër 31oC.

Ka zona ku temperaturat do të arrijnë edhe në 40oC, siç është rajoni i Extremadurës në Spanjë.