Bota

Zv/presidenti amerikan: SHBA nuk është në luftë me Iranin, por me ambiciet e tij bërthamore!

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance dha një intervistë të shkurtër për NBC News, në të cilën sqaroi se “Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Iranin”.

“Ne jemi në luftë me ambiciet e tij bërthamore“, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni beson se tashmë e ka “shkatërruar” programin bërthamor të Teheranit.

Vance gjithashtu mbrojti Presidentin Trump kundër kritikave të operacionit që çoi në përshkallëzimin e tensioneve, duke mohuar akuzat për abuzim presidencial. “Nuk është e vërtetë që operacioni u krye jashtë fushëveprimit të kompetencave presidenciale”, tha ai, duke iu përgjigjur indirekt udhëheqësit të grupit parlamentar demokrat, Hakeem Jeffries, i cili kishte shprehur dyshime më parë.

Zëvendëspresidenti amerikan më në fund theksoi se Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me aleatët e tyre, tani do të veprojnë me qëllim “çmontimin e përhershëm” të programit bërthamor të Iranit.

Edhe pse Trump, vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh”, nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, tha Trump.

E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”, duke shtuar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.

“Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, tha ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.

“Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, u shpreh Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, teksa prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Transmetuesi publik izraelit, KAN, citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se sulmet u kryen në koordinim të plotë me Uashingtonin.