Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, akuzoi qeverinë iraniane për përfshirje në një “akt terrorizmi ekonomik”, duke iu referuar bllokimit të trafikut në Ngushticën e Hormuzit.
Në një deklaratë publike, Vance u shpreh se Donald Trump ka treguar se “dy persona mund ta luajnë atë lojë”, duke paralajmëruar një përgjigje të mundshme nga ana e Uashingtonit. Sipas tij, nëse Irani vijon me atë që e cilësoi “terrorizëm ekonomik”, Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen parimit se “asnjë anije iraniane nuk do të dalë”.
Vance foli edhe lidhur me bisedimet e zhvilluara gjatë fundjavës me palën iraniane, duke theksuar se është arritur “shumë përparim”, por shtoi se tashmë “topi është në fushën e Iranit”.
Numri 2 i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se Teherani duhet të tregojë fleksibilitet e të pranojë kërkesat kyçe të SHBA-ve, të cilat përfshijnë kontrollin amerikan mbi uraniumin e pasuruar të Iranit, si dhe krijimin e një mekanizmi të besueshëm verifikimi, për të garantuar se vendi nuk do të zhvillojë armë bërthamore.