Bota

Presidenti Trump konfirmon bllokimin e porteve iraniane!

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë një bllokadë që ua pamundëson anijeve hyrjen dhe daljen prej porteve iraniane. Sipas tij, bllokada funksionalizohet sot.

Duke bërë të ditur lajmin për bllokadë, Komanda Qendrore e SHBA-ve, përgjegjëse për të gjitha forcat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, u shpreh se bllokada do të vlejë ndaj anijeve të të gjitha shteteve “pa asnjë dallim” e kështu, ato nuk do të mund të hyjnë e as të dalin prej porteve iraniane dhe brigjeve detare në Gjirin Persik, si edhe në Gjirin e Omanit.

Komanda Qendrore nuk dha më shumë hollësi për bllokadën, as të dhënat se sa anije amerikane do të angazhohen në këtë drejtim, por vetëm që do të vlejë për mjetet lundrues që synojnë të hyjnë e dalin nga Irani.

Prej nisjes së konfliktit te Shteteve të Bashkuara e Izraelit me Iranin, Teherani ka bllokuar gjithë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, duke ndikuar në rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë.

Irani ka bërë të ditur edhe se do të nisë të vendosë taksë për anijet që synojnë të kalojnë nëpër atë ngushticë jetike për furnizimet globale me naftë.

Njoftimi prej SHBA-ve erdhi pas dështimit të bisedimeve me palën iraniane për t’i dhënë fund luftës së nisur më 28 shkurt.

Zv.presidenti amerikan, JD Vance udhëhoqi delegacionin amerikan në negociatat që kanë zgjatur mbi 21 orë në Islamabad të Pakistanit.

Lajmi i keq është që nuk kemi arritur një marrëveshje. Mendoj që është lajm më i keq për Iranin sesa që është lajm i keq për SHBA-të, tha për mediat, pas përfundimit të takimit.

Ambiciet bërthamore të Iranit besohet të kenë dominuar bisedimet, ndonëse Vance deklaroi se në agjendë ishin edhe të tjera çështje madhore, përfshirë ngrirjen e aseteve e tensionet më të gjera në Lindjen e Mesme.