100 mijë robotë, i hapet rrugë projektit gjigant për të sfiduar Kinën!

Një nga fushat më dinamike është ajo e robotikës dhe inteligjencës artificiale, që po shndërrohen në aktorë kyç të së ardhmes. Në Kinë, kompania Zhiyuan Robotics ka nisur prodhimin e robotëve humanoidë për përdorim në shtëpi, me synimin për të ndërtuar 1.000 njësi deri në fund të vitit. Por rivaliteti më i madh vjen nga Shtetet e Bashkuara. Kompania amerikane Figure AI ka njoftuar një marrëveshje të rëndësishme me një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në vend, duke hapur rrugën për prodhimin masiv të humanoidëve.

Sipas CEO-së Brett Adcock, në katër vitet e ardhshme pritet të prodhohen dhe dërgohen deri në 100 mijë robotë humanoidë për përdorim në jetën e përditshme. Adcock ka theksuar se ajo do të ulë kostot e prodhimit dhe do të përmirësojë mbledhjen e të dhënave për inteligjencën artificiale. Më herët, Figure AI kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me BMW.

Strategjia e kompanisë synon dy tregje kryesore: atë komercial, me aplikime në prodhim dhe logjistikë, dhe atë shtëpiak, me funksione që shkojnë nga ndihma në punët e përditshme deri tek kujdesi shëndetësor. Versioni më i fundit i robotit, Figure 02, arrin shpejtësi ecjeje 1,2 metra në sekondë dhe ka aftësi të mësojë detyra komplekse përmes inteligjencës artificiale.