Në rrugët e Zyrihut të Zvicrës do të shihen së shpejti “robotët-qenë” që shpërndajnë ushqim të shpejtë. Programi pilot po zhvillohet nga platforma e porosive Just Eat Takeaway.com në bashkëpunim me kompaninë zvicerane të robotikës RIVR. Pajisur me “Inteligjencë fizike”, robotët me rrota e këmbë mund të ngjiten shkallëve, të anashkalojnë pengesa si kosha plehrash apo bar, si dhe të lëvizin mes këmbësorëve, biçikletave dhe makinave.
Ata ecin me shpejtësi deri në 15 km/h dhe funksionojnë edhe në kushte të vështira moti, nga shiu e bora te nxehtësia apo era. Çdo dorëzim monitorohet në kohë reale, ndërsa robotët mund të kontrollohen edhe në distancë. Just Eat thotë se është shërbimi i parë në Evropë që teston robotikë hibride me AI fizike për shpërndarje. RIVR planifikon t’i përdorë këta robotë edhe për paketa, ushqime të freskëta e sende të tjera, duke synuar shtrirjen në qytete të tjera evropiane.
Robotët hapësinorë janë gati të eksplorojnë shpella jashtë planetit për të krijuar shtëpi të reja për njerëzit. Ekipet robotike do të punojnë bashkë për të zbuluar vrima lave në Mars dhe Hënë, duke kërkuar habitatet e mundshme për të ardhmen e njerëzimit. Kërkimi u zhvillua nga një grup akademikësh evropianë dhe u publikua në revistën Science Robotics. Testet u kryen në ishullin spanjoll vullkanik të Lanzarotes, i zgjedhur për ngjashmërinë e tij mjedisore me Hënën dhe Marsin.