Aktualitet Zgjedhjet 2025

11 Maji, KQZ: 241 647 zarfe të dërguara për votuesit jashtë vendit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ po vijon me shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pra pas rreth një muaji. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ-ja, deri sot ora 13:50 janë dorëzuar 241 mijë e 647 zarfe. 58 mijë e 128 u morën nga zgjedhësit ndërsa 8 mijë e 367 kanë mbërritur në KQZ.

Sipas KQZ-së, deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarë nga 10 qarqe të vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 51 mijë e 520, Fierit 31 mijë e 752, Elbasanit 25 mijë e 22, Durrësit 24 mijë e 872 e më pas qarqeve të tjera.

Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 89 mijë e 723 zarfe, në Greqi 67 mijë e 165, në Gjermani 25 mijë e 62, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 mijë e 274, në Mbretërinë e Bashkuar 16 mijë e 913, etj.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme. Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit e po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit iu shkojnë bashkatdhetarëve tanë në Europë nga data 15 e deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera, nga data 15, deri më 25 prill. Pasi të marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë në KQZ, brenda tre ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.