Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, sot nisi shpërndarjen e fletëve të para të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Në këto votime, për herë të parë Diaspora do të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e votës. Fletët e para të votimit janë dërguar për votuesit e qarqeve Dibër dhe Berat.
Çdo votues i regjistruar do të marrë një zarf që përmban fletën e votimit, një zarf të brendshëm për kthimin e votës dhe udhëzuesin për mënyrën e saktë të plotësimit të saj, me qëllim që vota të jetë e vlefshme.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00 do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit e po aty do të kryhet numërimi i votave të Diasporës.
Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Europë nga data 15 e deri më 22 prill, si dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill. Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë duhet ta dërgojë në KQZ brenda tre ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.