Aktualitet Zgjedhjet 2025

Votat me postë të diasporës, përgatiten zarfet që do të shpërndahen drejt emigrantëve në botë!

Ka nisur këtë të shtunë përgatitja e materialeve zgjedhore për shtetasit shqiptarë që do të votojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

Në fillim vuloset fleta e votimit, vendoset në një zarf, më pas vendoset në zarfin e KQZ-së, bashkë me një udhëzues se si do të votojnë, si dhe një listë me kontaktet e korrierëve që mund të thërrasin pasi të kenë kryer procesin e votimit.

Janë disa qarqe si Kukësi, Dibra, Vlora e të tjera, për të cilat ka përfunduar përgatitja e materialeve dhe ato dërgohen menjëherë me postë, duke nisur nga kjo e shtunë. Zgjedhësit në vendet e Europës mund t’i kenë në shtëpi për 48 orë.

 “Janë qarqet që kanë numër të vogël votuesish. Është e këshillueshme që brenda tre ditëve të kryejnë procesin e votimit dhe të telefonojnë”, shprehet Celibashi.

Zarfet me fletët e votimit pritet të nisin të rikthehen në KQZ nga mesi i javës që vjen, por numërimi i tyre do të bëhet më 11 maj.

Këto janë zgjedhjet ku për herë të parë u jepet mundësi të votojnë shtetasit shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë dhe që në këtë proces janë regjistruar rreth 250 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.