Në Tiranë, rinumërimi po vijon edhe sot në ditën e katërt. Në orën 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ publikoi të dhënat për 367 qendrat e votimit të rinumëruara në qarkun më të madh.
Në bazë të shifrave të publikuara nga KQZ-ja, Koalicionit Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i janë shtuar 186 vota në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Gjithashtu pas rinumërimit të 367 qendrave, Partia Socialiste rezulton se në rezultatin e 11 Majit i janë shtuar 170 vota.
Nga ana tjetër, Lëvizjes Atdheu i është shtuar një votë në rezultatin e 11 Majit, Partisë Koalicioni Euroatlantik i janë hequr 15, Partisë Aleanca Kombëtare Shqiptare i janë shtuar dy vota dhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim i janë hequr 7 të tilla.
Procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në kryeqytet, aty ku do të numërohen të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, në 18 KZAZ.
Në total janë 1 mijë e 282 qendra votimi dhe rinumërimi përfshin si votat për subjektet politike, ashtu edhe ato për kandidatët individualë.