Një operacion i jashtëzakonshëm është kryer në spitalin Molinette të Torinos, pjesë e kompleksit “Città della Salute e della Scienza”, ku një vajzë 21-vjeçare u shpëtua falë një transplanti të rrallë të mëlçisë, të realizuar për herë të parë me një teknikë krejtësisht ekstra-anatomike. Pacientja vuante që në lindje nga atrezi biliare, një keqformim i rëndë që kishte çuar në një transplant të parë të mëlçisë që kur ishte 6 muajshe. Megjithatë, gjatë adoleshencës ajo filloi të përjetonte infeksione të përsëritura të tëmthit, të cilat e çuan mëlçinë e mëparshme në cirrozë të avancuar.
Për shkak të dëmtimit të rëndë të enëve të gjakut dhe kanalit biliar, transplanti i dytë paraqiste një sfidë jashtëzakonisht komplekse. Duke mos pasur më mundësi të përdornin rrugët tradicionale të furnizimit me gjak, mjekët realizuan lidhjen e aortës abdominale me arterien e mëlçisë së re për të garantuar rrjedhjen arteriale të gjakut, transpozicionin kaval-portal, ku vena kava inferiore u bashkua me venën porta të mëlçisë së dhuruar, për të zëvendësuar qarkullimin e gjakut venoz, dhe lidhjen e kanalit biliar të mëlçisë direkt me zorrët, duke krijuar një rrugë alternative për tëmthin.
Operacioni zgjati 14 orë dhe u ndihmua edhe nga përdorimi i një makinerie ekstrakorporale për rreth 80 minuta, për të mbajtur funksionin e qarkullimit të gjakut gjatë fazave më delikate të ndërhyrjes. Falë një koordinimi perfekt mes ekipeve mjekësore dhe dhurimit të organit nga një djalë që humbi jetën nga një traumë, 21-vjeçarja pas pesë ditësh në terapi intensive është në gjendje të mirë shëndetësore.