Rajoni

16 kandidatë për deputetë me aktakuza aktive në Kosovë!

16 kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë aktakuza aktive. Kjo thuhet në një raport të organizatave joqeveritare të prezantuar sot. Gjatë paraqitjes së raportit “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, u tha se në listat zgjedhore, “Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin”.

Sipas Burbuqe Kastratit, nga Lëvizja FOL, këto parti kanë 23 persona me probleme me ligjin. Sipas saj, kjo nënkupton se ka kandidatë me akuza aktive ose që në të kaluarën janë dënuar për vepra penale të ndryshme. Referuar raportit të OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe INPO, nga 16 kandidatë, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.

Numri i aktakuzave ndaj tyre arrin në 20, ndërsa numri i veprave penale në 21. Me aktakuzë aktive, Lëvizja Vetëvendosje ka në listë tetë kandidatë, Koalicioni AAK-Nisma shtatë dhe LDK-ja një kandidat për deputet.

Kastrati deklaroi se ka aktakuza të natyrës korruptive, si keqpërdorimi i postit apo autoritetit zyrtar. Por, ka edhe aktakuza për armëmbajtje pa leje, pengim e sulm ndaj zyrtarëve. Raporti përfshin edhe të dhëna sa i përket dënimeve për vepra penale të kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit. Tetë kandidatë janë dënuar në të kaluarën për vepra të ndryshme penale.

Por, atyre nuk iu ndalohet gara në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person i dënuar me formë të prerë në tre vjetët e fundit për një vepër penale, me një ose më shumë vite burg, nuk mund të kandidojë në zgjedhje.

Edhe në zgjedhjet e mëparshme, në listat zgjedhore ka pasur kandidatë me probleme me ligjin. Atëherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte certifikuar 47 prej tyre për shkak se ishin shpallur fajtorë në tre vitet e fundit, teksa në listën përfundimtare zgjedhore patën kandiduar 15 persona me probleme me ligjin.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Në listat zgjedhore gjithsej janë 1.280 kandidatë për përbërjen e re parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë zhvilluar një sërë zgjedhjesh të parakohshme.