Rajoni

18 vjet shtetësi, Kosova mes festës dhe protestës!

Kosova feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 Shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputetë, Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Flamuri shtetëror u shpalos që në ditën e shpalljes së pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës që dhanë edhe jetën për liri.

Në orën 09:00, drejtuesit më të lartë të shtetit bëjnë nderime  në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, ndërsa më pas mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Programi përmbyllet me parakalimin e Forcës së Sigurisë e Policisë së Kosovës, si dhe me një koncerti solemn në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Krahas festimeve për pavarësinë, sot në Prishtinë mbahet një tubim madhështor nën moton “Drejtësi, jo politikë”. Organizatorët paralajmërojnë pjesëmarrjen e mbi 200 mijë qytetarëve, çka vlerësohet se mund ta bëjë këtë tubim më të madh në Kosovën e pasluftës. Qytetarët do të kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Një ditë para 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Prishtinës, nga ku kritikoi Gjykatën Speciale të Hagës mbi kërkesën për të dënuar me 180 vite burg katër ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kransiqi e Rexhep Selimi. Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës e cilësoi “tërësisht politike”, madje “edhe më politike se gjykatat e Serbisë”.  Rama tha se dënimi me 45 vite burg për secilin prej ish-liderëve të UÇK-së do të ishte “varrosje për së gjalli”.

Presidenti amerikan, Donald Trump uroi Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial. Në letrën e Trump-it, Kosova përgëzohet për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen në përpjekjet e SHBA-ve për të zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gaza e vende të tjera.