Rajoni

18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, mesazhet e Osmanit, Haxhiut, Kurtit!

Krerët e vendit kanë nisur aktivitetet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pas ngritjes së Flamurit, thanë se pavarësia u arrit me sakrifica të mëdha. Presidentja Vjosa Osmani thekson se sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore.

Shprehim respektin më të thellë për rrugën, vizionin dhe kontributin e presidentit tonë historik, Atit të Pavarësisë dhe arkitektit të saj, doktor Ibrahim Rugova. Për sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Për mijëra dëshmorë e heronj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nderon figurat e larta që kontribuuan për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuan, në rrethana dhe periudha të ndryshme, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë duke punuar me institucione funksionale, që veprojnë me integritet dhe profesionalizëm.

Kryeministri Albin Kurti thekson se gjatë viteve të pavarësisë është rritur numri i njohjeve të shtetësisë, është zhvilluar ekonomia e vendit, është rritur mirëqenia e qytetarëve dhe është forcuar fuqia e shtetit.

Shteti është ndërtuar falë sakrificës së shumë brezave.

Sipas Kurtit, para 18 vitesh lindi pavarësia e Republikës së Kosovës, që u arrit falë shumë brezave veprimtarësh, ndër breza të panumërt të popullit tonë, që kontribuuan dhe u sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë e të pavarur, me një shtet demokratik dhe sovran.

Sot festojmë, por njëkohësisht nderojmë edhe rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Albin Kurti përmend njohjet ndërkombëtare, që tani numërojnë 121 vende, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit; ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe në rritje; forcimin e ushtrisë e kapaciteteve mbrojtëse; sukseset ndërkombëtare në sport, art dhe kulturë; dhe pjesëmarrjen aktive në forume botërore.

Kurti flet gjithashtu për lëvizjen e lirë pa viza dhe hapat konkret drejt integrimeve europiane, përfshirë aplikimin në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës, duke i cilësuar si arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Shefi i qeverisë thotë se përforcimi dhe zhvillimi i shtetit tonë kërkon angazhim të përbashkët me punë, dije e integritet.