Aktualitet

Presidenti Begaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Të ecim bashkë drejt BE-së!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uron Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar forcimin e institucioneve dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.

Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!

Begaj shpreh mirënjohje edhe ndaj partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE-së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi mori pjesë në pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku përcolli urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit dhe popullit shqiptar duke e cilësuar këtë datë si një moment historik lirie, dinjiteti dhe drejtësie për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij, Peleshi e konsideroi Pavarësinë e Kosovës një nga aktet më të ndritura në historinë moderne kombëtare duke theksuar se “përfaqëson triumfin e të drejtës së një populli për të jetuar i lirë, sovran dhe i pavarur pas dekadash shtypjeje, diskriminimi dhe dhune sistematike”. Peleshi vlerësoi sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në realizimin e këtij qëllimi historik.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se Republika e Kosovës, edhe pse shtet i ri, është shndërruar në një shtet demokratik dhe një faktor stabiliteti në rajon duke zënë vendin e saj në komunitetin e vendeve demokratike. Po ashtu, nënvizoi mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s e Bashkimit Europian, që u rreshtuan në anën e drejtësisë dhe lirisë.

Në këtë kuadër, Peleshi shprehu shqetësimin për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare duke theksuar se drejtësia për ta lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e vetë kauzës së Kosovës. Ndërkaq, kujtoi Deklaratën e 13 shkurtit të Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare duke e cilësuar këtë qëndrim si një detyrim moral, historik dhe kombëtar.