Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj nderon themeluesin e shtetit shqiptar dhe prijësin e Pavarësisë, Ismail Qemali, sot në 182 vjetorin e lindjes së tij.
Me këtë rast, Kryetari i Shtetit bën thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në finalizimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky objektiv përbën vijimësinë e natyrshme të vizionit shtetformues të Ismail Qemalit.
Sot, në ditëlindjen e tij, nderojmë themeluesin e shtetit shqiptar, burrin vizionar që bëri realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri dhe pavarësi në trojet e të parëve.
Aspirata e Ismail Qemalit dhe e etërve themelues për një Shqipëri evropiane mbetet edhe sot e vetmja strategji kombëtare, i vetmi qëllim, realizimi i të cilit duhet të përbashkojë të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim, shkruan Presidenti i Republikës në llogarinë e tij në Facebook.