Më 2024-ën janë vrarë më shumë gazetarë se në çdo vit tjetër, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në një raport. CPJ-ja, që filloi të mbledhë të dhëna para rreth 30 vjetëve, raportoi se të paktën 124 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë në vitin 2024. Në dokument, thuhet se në vrasjen e gazetarëve ka ndikuar rritja e numrit të konflikteve në mbarë botën, qofshin ato politike, kriminale apo ushtarake.
Lufta në Rripin e Gazës ka ndikuar më së shumti në rritjen e numrit, pasi një numër gazetarësh dhe punonjësish të medias u vranë në këtë luftë.
CPJ-ja është organizatë joqeveritare me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkushtuar për mbrojtjen e lirive të gazetarëve dhe të drejtave. Pothuajse dy të tretat e numrit të përgjithshëm të punonjësve të medias të vrarë në mbarë botën janë palestinezë, referuar raportit. Vitin e kaluar u vranë 85 gazetarë, ndërsa në vitin 2023, 73.
Tani është koha më e rrezikshme për të qenë gazetar në historinë e CPJ-së, vuri në dukje drejtoresha ekzekutive e CPJ-së, Jodie Ginsberg.
Lufta në Gaza është e paprecedentë në ndikimin e saj tek gazetarët dhe demonstron një përkeqësim të ndjeshëm të normave globale për mbrojtjen e gazetarëve në zonat e konfliktit, por është larg nga i vetmi vend ku gazetarët janë në rrezik. Shifrat tona tregojnë se gazetarët janë nën sulm në mbarë botën.
CPJ-ja deklaroi se zbuloi se të paktën 24 gazetarë në mbarë botën u vranë qëllimisht për punën e tyre vitin e kaluar. Ai tha se në Rripin e Gazës dhe Liban ka dokumentuar 10 raste kur gazetarët janë vrarë nga ushtria izraelite, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare që i përcaktojnë gazetarët si civilë gjatë konflikteve. 14 vrasjet e tjera të gazetarëve në vitin 2024 ndodhën në Haiti, Meksikë, Pakistan, Myanmar, Mozambik, Indi, Irak e Sudan.
Numri i madh i gazetarëve të vrarë në vitin 2024 tregon për rreziqet e shtuara me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit e medias, si dhe kërcënimin për rrjedhën e informacionit në mbarë botën, u shpreh CPJ.
Totali i 124 gazetarëve të vrarë vitin e kaluar e tejkalon rekordin prej 113 nga viti 2007, kur pothuajse gjysma humbën jetën gjatë luftës në Irak. Jashtë Rripit të Gazës dhe Libanit, CPJ-ja dokumentoi vdekjen e 39 gazetarëve dhe punonjësve të medias në 16 vende në vitin 2024, shumica në Sudan (6), Pakistan (6), Meksikë (5), Siri (4), Mianmar (3), Irak (3) dhe Haiti (2).