Bota

28 të lënduar nga sulmi me makinë në Gjermani/Arrestohet 1 afgan!

Një person përplasi me makinë në një turmë njerëzish, të mbledhur për të protestuar sot në Mynih, duke plagosur të paktën 28 persona, përfshirë fëmijë. Kjo u bë e ditur nga autoritetet gjermane. Sipas tyre, besohet që ngjarja të ketë qenë sulm, ndërsa i dyshuari, një azilkërkues afgan, u arrestua. Pjesëmarrësit në demonstratën e sindikatës së punëtorëve “ver.di” po marshonin afër qendrës së Mynihut rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur autovetura kaloi një automjet policor që po shoqëronte tubimin, rriti shpejtësinë dhe u përplas me njerëzit, siç raporton Associated Press.

Oficerët arrestuan të dyshuarin pasi qëlluan me armë zjarri në drejtim të makinës. Kjo u bë e ditur nga zv.shefi i Policisë, Christian Huber, i cili shtoi se të paktën 28 persona besohet të jenë lënduar, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Një automjet i dëmtuar, i markës Mini, u pa në vendngjarje. I dyshuari është një azilkërkues afgan, 24-vjeçar.

Dyshohet të jetë sulm, shumë gjëra e sinjalizojnë këtë, deklaroi guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder, teksa foli në vendin e ngjarjes. Ngjarja pason një varg sulmesh ku janë përfshirë emigrantët gjatë muajve të fundit. Çështje të emigracionit janë vendosur në krye të fushatës për zgjedhjet politike të 23 shkurtit në Gjermani.

Kohët e fundit, një fëmijë dyvjeçar dhe një person tjetër u vranë nga një sulm me thikë në Ashafenburg, po ashtu në Bavari. Siguria do të rritet dukshëm në kryeqendrën bavareze gjatë ditëve të ardhshme, për shkak se Konferenca treditore e Sigurisë në Mynih, një tubim i përvitshëm i zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë të politikës së jashtme dhe sigurisë, hapet zyrtarisht nesër.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, ka thënë se autoritetet nuk besojnë se incidenti i sotëm është i lidhur me konferencën, por se ato ende po punojnë për ta përcaktuar motivin.