Aktualitet

4 të plagosur në dy aksidente rrugore/U nevojit ndërhyrja e zjarrfikësve!

Një aksident i rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit në aksin “Morinë-Kukës”, në Rrugën e Kombit. Një shtetas duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë makina doli nga rruga.  Nga aksidenti u dëmtua një pasagjere, rreth 64 vjeçe, banuese në Kukës, e cila mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua në Tiranë, për mjekim të specializuar.  Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

I Rrugës së Kombit nuk ishte i vetmi aksident rrugor për sot. Në aksin Lushnjë-Berat, pranë fshatit Qerret, dy automjete u përplasën mes tyre duke shkaktuar plagosjen e tre personave. Dyshimet e para të policisë janë për parakalim të gabuar.

Një mjet tip ‘Audi’ që vinte nga drejtimi i Beratit hyri në parakalim dhe nuk ka llogaritur kohën e saktë, duke u përplasur përballë në korsinë tjetër me një makinë ‘Skoda’. Dëmet materiale nga aksidenti janë të shumta, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e Lushnjës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Te ‘Audi’ udhëtonin dy persona, ndërsa në mjetin tjetër vetem shoferi. Sipas mjekëve të Lushnjës, fatmirësisht të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.

Po ashtu bëhet e ditur se për shkak të dëmtimeve të shumta të makinave është kërkuar edhe ndihma e zjarrfikësve, për të hapur llamarinat e shtypura.