Aktualitet

50 milion euro në total për situatën e përmbytjeve!

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile ku u diskutua situata nga moti i keq, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se në programin e Emergjencave Civile janë parashikuar rreth 30 milion euro.

Vlera totale për situatën e përmbytjeve në vend është mbi 50 milion euro.

Në programin  e Emergjencave Civile kemi parashikuar rreth 30 milion euro që janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekte të lidhura me parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Vlera që kemi alokuar është rreth 15 milion euro. Kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar, rreth 10 milion euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas një metodologjie të mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri.

Kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën 25 milion euro, që do të vihet në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve nga strukturat përkatëse.

Kemi fondin për digat dhe rezervuarët e lidhet me financimin e projekteve për sigurimin e tyre. Ky fond është rreth 5 milion euro. Vlera totale shkon mbi 50 milion euro e që janë të disponueshme për situatën e krijuar.

Nga i njëjti takim, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se për shkak të motit të keq është pezulluar mësimi në 54 shkolla në vend. Pjesa më e madhe e tyre janë në qarkun Durrës, si edhe në Vlorë, Fier e Gjirokastër.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla konfirmoi se hidrovoret janë në funksion dhe se po punohet për hapjen e kanaleve kulluese. Ndërkohë vijon puna në dy çarjet e argjinaturave në Sheqeras-Devoll e Bilisht-Boboshticë.

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se 406 banorë të evakuar janë akomoduar në struktura shtetërore, ndërsa një pjesë tjetër, në hotelerie.